​Shea: Vendimi i NATO-s për të bombarduar forcat serbe ishte i drejtë

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, sot u dekorua me Çmimin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut nga Kolegji AAB, me motivacion për shpëtimin dhe ndihmën refugjatëve gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Lajme

18/02/2016 21:30

 Duke i paraprirë fjalimit të Shea-s një dokumentar lidhur veprimtarinë e tij si zëdhënës i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, ai tha se vendimi i NATO-s për të bombarduar forcat serbe ishte i drejtë. Shea tha se këtë çmim do të dëshironte ta ndante me të gjithë, popullin e Kosovës, ushtarët e KFOR-it, pasi sipas tij, ishin të gjithë ata që dhanë mund për këtë lir.

“NATO po bombardonte dhe një vendim i tillë ishte i drejt. Akoma besoj që një vendim i tillë ishte i drejtë, pasi tanimë ju gëzoni lirinë”, tha Shea.

Shea përgëzoi qytetarët kosovarë për progresin e arritur gjatë viteve të pasluftës, duke krahasuar imazhet që ai mban mend që nga viti 1999.

“Po shoh njerëz të shëndetshëm, të veshur bukur e të shëndetshëm. Kam parë imazhe të tjera në vitin 1999. Ju përgëzoj për një progresin”, tha ai.

Shea thotë se kur shikon prapa në kohë, vëren se vendimi i NATO-s ka pasur sukses, ndërsa tha se janë qytetarët dhe institucionet ato që e bëjnë perfekt demokracinë.

Ai krahasoi gjendjen e popujve të tjerë që aktualisht gjenden në konflikte të armatosura dhe dëbohen nga vendbanimet e tyre.

Po ashtu, Shea tha se NATO-ja dhe instancat ndërkombëtare do të vazhdojnë të jenë aleatë të kosovarëve.

“Ne jemi aleatët tuaj, do të vazhdojmë të ju ndihmojnë në këtë drejtim, mirëpo ju jeni ata që jeni fundamental për ta bërë Kosovën si një vend evropian”, tha Shea.

Ai tha se është i bindur se ky sukses do të arrihet dhë një ditë Kosova do të integrohet në Evropë./lajmi.net