​Rivitalizimi i urës së Ibrit pranë dështimit, Bahtiri hesht

Revitalizimi i urës së Ibrit në Mitrovicë që ishte paraparë të përfundojë më 15 qershor me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes në mes të Prishtinës dhe Beogradit, tanimë ka dështuar.

Lajme

28/05/2016 11:52

Përveç rrethojave që u vendosën vitin e kaluar, asgjë më nuk u prek në këtë urë, ndërsa premtimet e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ishte shumë i zëshëm atë kohë, mbetën vetëm deklarata boshe.

Qytetarët thonë se revitalizimi i kësaj ure as që ka qenë i nevojshëm, ngase ajo është ndër urat më të mira në vend që është projektuar nga ekspertët francezë, menjëherë pas luftës.

Sipas tyre, e gjithë kjo është lojë e ndërkombëtarëve, sa për të përfituar në kohë derisa të arrihet një marrëveshje në mes të palëve, ndërsa, ka qytetarë të cilët shprehen se e gjithë kjo ka qenë marrëveshje në mes të politikanëve shqiptarë e serbë.

Bekë Abazi, qytetar i Mitrovicës, madje parasheh ndonjë incident të mundshëm në këtë urë, vetëm si pretekst për t’u prollonguar çështja.

“Ura është e rregulluar, e projektuar, është nga urat më të mira që kanë bërë ekspertët dhe inxhinierët francezë dhe ajo nuk ka nevojë me u rehabilitu, rregullu, me u dizajnu …Rrethimi i urës është shumë pa lidhje dhe i pakuptimtë…Edhe udhëheqësit shqiptarë dhe serbë, politikanët, janë marr vesh me shty këtë punë. Madje unë frikohem se do të ndodhë ndonjë incident për me qenë si shkak i mos hapjes së urës. Unë si qytetar nuk besoj në revitalizim të urës”, ka thënë Abazi.

Kumrije Begu, çështjen e revitalizimit të urës e quan problem politik, ndërsa, fajëson ndërkombëtarët për një gjë të tillë.

“Krejt është kjo çështje politike dhe pavarësisht që qeveritarët tonë mundohen me ndiku me u bë revitalizimi i urës, mendoj se prapa kësaj qëndrojnë ndërkombëtarët… Kisha pasur dëshirë që sa më parë të hapet ura sepse na lidhin edhe kujtimet me veriun… Koha ka me tregu për çka është bërë kjo bllokadë”, tha ajo.

Ndërkaq, një qytetar tjetër që nuk deshi ta thotë emrin para kamerës, tha se revitalizimi i urës dhe hapja e saj për lëvizje të lirë të qytetarëve dhe automjeteve, nuk do të ndodhë edhe shumë vite.

Sipas tij, tani për tani s’ka gjë nga kjo punë, kurse për premtimet e kryetarit Bahtiri tha se janë të gabueshme, ngase as ai vetë nuk e di kur do të ndodhë hapja e urës.

“Nuk e di as vet, as kryetari nuk e din kur do të hapet ura…… Nuk mendoj asgjë sepse s’ka asgjë prej kësaj pune… Edhe 15 vjet asgjë s’ka, pas 15 vjetëve ndoshta të rinjtë e presin”, u shpreh ai.

Edhe inxhinieri i ndërtimtarisë, Gani Beshiri, ka bërë të ditur për KosovaPress se ura mbi Ibër nuk ka pasur nevojë për revitalizim.

Sipas tij, kjo urë është një nga më të qëndrueshmet sa i përket statikës dhe nga më të bukurat sa i përket arkitekturës.

Ai tha se e gjithë kjo situatë që është krijuar rreth urës, është vetëm truk politik sa për të blerë kohë deri në përfundimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, të cilat po zhvillohen në Bruksel.

Premtimet e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri ndaj qytetarëve për lëvizje të lirë mbi këtë urë më 15 qershor, ai i ka quajtur si premtime me pak vlerë, sepse deklaratat për një problem të tillë duhet të vijnë nga një nivel më i lartë i vendit, por edhe ndërkombëtar.

“Në aspektin profesional absolutisht nuk ka pasur kurrfarë nevoje të revitalizimit të urës së Ibrit, ndërsa, në aspektin politik me siguri është qëllimi i blerjes së koh ës derisa të zhvillohen bisedimet Serbi-Kosovë… Ura në aspektin statik është e qëndrueshme, në aspektin e trafikut ka qenë e përdorshme…kurse kjo që është shpikur tani, është thjeshtë një trik politik…Unë mendoj se zakonisht kur ndërkombëtarëve ju duhet të blejnë kohë, atëherë gjejnë këso variante…në mënyrë që në momentin kur arrihen objektivat të cilat janë shtruar para të dyja palëve të rikapitalizohet rikonstruimi i tij dhe funksionimi i kësaj ure… Deklarata për një problem të tillë mund të vij nga një nivel më i lartë i Kosovës dhe nga niveli ndërkombëtar, për shkak se nuk është problem komunal dhe si i tillë deklaratat nga niveli komunal janë me pak vlerë”, ka thënë Beshiri.

Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka preferuar të hesht rreth këtij problemi.

As nga zyra e tij nuk kanë dashur të komentojnë për këtë çështje edhe pse janë pyetur disa ditë më parë.

“Kryetari aktualisht ka agjendë të ngjeshur, andaj rreth prononcimit për këtë çështje shohim ditët në vijim”, thuhet në përgjigjen elektronike të zyrës për informim të Komunës së Mitrovicës, në adresë të KosovaPress-it. /Kp