​Kujtohet 18 vjetori i masakrës së Likoshanit dhe Qirezit

Familjarë të shumtë e përfaqësues të institucioneve të vendit kanë kujtuar 18 vjetorin e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit, si dhe dëshmorët e tjerë të rënë më 1998-1999.

Lajme

28/02/2016 15:39

 

Fillimisht ishin familjarët që me lot në sy vendosën kurora lulesh pranë varrezave, pastaj ishte presidenti i sapozgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçin, ai që vuri lule pranë përmendores në Kompleksin e varrezave “Dëshmorët e Çiçavicës-1998-1999”, ku prehen të masakruarit e Likoshanit dhe Qirezit, si dhe dëshmorët e tjerë.

Thaçi deklaroi se kontributi i dëshmorëve do të jetë ai që do të t’i bashkojnë për ta dërguar Kosovën përpara. Ai tha se gjithmonë do të bëjnë nderimet e larta institucionale e kombëtare për gjithë ata të cilët kanë dhënë jetën e tyre për Pavarësinë e Kosovës.

“Lufta që u zhvillua para 18 viteve këtu në Likoshan, Qirez është një lavdi për gjithë kombin shqiptar dhe në të njëjtën kohë ishte edhe mesazh për regjimin e Sllobodan Millosheviqit, për masakrat që kryente ndaj njerëzve civil, kështu që ne do t’i kujtojmë gjithmonë si shtet, do t’i kujtojmë gjithmonë me respektin më të lartë si shoqëri, andaj vlerësoj se kontributi i një njerëzve për lirinë e vendit, familjet e dëshmorëve do të jenë ata që gjithmonë do të na bashkojnë të gjithëve në mënyrë që të gjithë të bashkuar të ecim përpara, ta ndërtojmë vendin edhe më të fuqishëm dhe tabëjmë të nderuar edhe në botë, Kosovën e re”, tha Thaçi.

Kurora lulesh në Kompleksin e varrezave “Dëshmorët e Çiçavicës-1998-1999”, ka vendos edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se institucionet kanë përgjegjësi ndaj familjarëve dhe ndaj idealit të atyre që kanë rënë për lirinë e Kosovës dhe ta qojnë vendin përpara.

Veseli këtë epope e quajti si epopenë më tragjike por theksoi se është më krenarja për popullin e Kosovës.

“Jemi në 18 vjetorin e një prej epopeve do të thoja më tragjike por edhe më krenare e popullit tonë, dhe kjo çfarë shohim këtu tregon historinë dhe fatin e popullit tonë. Ka fëmijë , dhe në të njëjtën kohë ka gra, ka pleq, edhe ka luftëtarë kjo është historia e lirisë së Kosovës, para të cilëve gjithmonë do të përkulemi, gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës kanë dhënë kontributin e vet për lirinë e Kosovës. Do të jetë nderim i veçantë, veçanërisht institucionet kanë përgjegjësi edhe më të madhe ndaj familjeve të tyre, n ë të njëjtën kohë kanë përgjegjësi ndaj idealit të tyre që ta ecim më përpara Kosovën’, tha Veseli.

Mbi varreza nuk u vunë vetëm lulet, familjarët të cilët erdhën sot për të kujtuar të rënët e tyre, derdhen lot mbi varret e të masakruarve të Likoshanit dhe Qirezit gjatë viteve 98/99.

Familjarja e familjes Ahmeti, ka treguar për KosovaPress që të rënë ishin të parët të cilët u morën me forcë nga shtëpitë e tyre dhe u masakruan.

“ I kemi miq, familjar, i kem vendas dhe gjaku i tyre na ka sjellë neve në liri, dheu i tyre qoftë i lehtë, e na ishallah i shpërblejmë. Këta kanë qenë viktimat e para, kanë qenë në shtëpi, nuk kanë qenë duke luftuar por i kanë marrë në shtëpi, si ata q ë dinë barbarizmat e tyre. I kemi miq, janë pjesë e Kosovës, pjesë e këtij dheut, dhe sot më mirë kishte qenë që kjo të kishte qenë një park dhe jo varreza”, ka thënë ai.

Shefkije Dibrani, e kujton këtë ditë si shumë të rëndësishme, pasi që ajo 18 vjet më parë kishte humbur të vëllain Naser Gjeli dhe babin Muhamet Gjeli.

“E kujtoj këtë ditë shumë të rëndësishme për neve por nuk kemi çfarë të bëjmë, mërzitshëm por gjaku i tyre ishallah u derdh për liri”, tha Dibrani.

Kurora lulesh në Kompleksin e varrezave “Dëshmorët e Çiçavicës-1998-1999”, u vunë edhe nga përfaqësues të institucioneve të tjera të vendit./kp