​Importuesit nga Shqipëria vazhdojnë protestën kundër Doganës së Kosovës

Kompanitë importuese nga Shqipëria po vazhdojnë protestën e tyre të qetë dhe paqësore në zonën neutrale Kosovë-Shqipëri. Protesta e grupit të importuesve nga Shqipëria filloi pasi Dogana e Kosovës, me një vendim, detyron importuesit shqiptarë që të paguajnë nga 40 euro për çdo maunë në terminalin privat të Prizrenit.

Lajme

24/02/2016 18:11

Si mënyrë proteste, importuesit nga Shqipëria kanë vendosur maunet e tyre në këtë zonë neutrale të kufirit kosovaro-shqiptar.

Importuesit janë ankuar se vendimi është i padrejtë nga ana e autoriteteve doganore të Kosovës, dhe se fitimi i tyre po mblidhet nga doganat.

Përfaqësuesi i këtyre kompanive, Hyzer Gashi tha se protesta do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të importuesve shqiptarë.

Gashi bëri të ditur për KosovaPress se nesër në ora 13:00, kompanitë do të kenë takim me ambasadorin e Shqipërisë, Qemajl Minxhozi dhe drejtorin e Doganave, Lulzim Rafuna për të diskutuar lidhur me këtë shqetësim të tyre.

Gashi paralajmëroi se në qoftë se ky takim nuk sjell rezultate pozitive për kompanitë, atëherë protesta e tyre do të vazhdojë pa u ndalur.

“Protesta do të vazhdojë deri sa të kemi një zgjidhje mes Doganës dhe neve si grupacion importuesve të materialeve të ndërtimit nga Shqipëria. Kemi një paralajmërim se nesër do të kemi takim me ambasadorin e Shqipërisë dhe drejtorin e Doganave të Kosovës, rreth orës 13:00. Nëse kjo nuk realizohet, ne jemi të vendosur deri në fund që maunet tona të qëndrojnë në pikën kufitare dhe ato nuk do të lëvizin deri të gjendet zgjidhja përfundimtare e kësaj problematike – derisa të hiqet hyrja e dhunshme në terminalet për shkak se kostoja e terminalit është tepër e shtrenjtë për neve dhe ekonomikisht e paarsyeshme”, tha Gashi.

Sipas importuesve shqiptarë, ngarkesa financiare e caktuar për ta duhet të eliminohet, pasi që lëvizja fizike e mallrave nga Shqipëria në drejtim të Kosovës duhet të bëhet pa ndonjë barrierë. /KosovaPress